Detyrim i ri për baret, restorantet-hotelet: Për çdo karrige në trotuar do të mbillet një pemë
Qeveria propozon rregulla të reja për hapësirat publike, duke lidhur lejet me mbjelljen e pemëve.
Baret, restorantet dhe hotelet do të mund të shfrytëzojnë deri në 25 për qind të gjerësisë së trotuarit për vendosjen e tavolinave dhe karrigeve, por tashmë kjo do të shoqërohet me një detyrim të ri. Për çdo karrige të vendosur në hapësirë publike, biznesi do të duhet të mbjellë një pemë, kusht që do të vlejë edhe për kioskat. Ky kriter do të jetë i detyrueshëm për çdo leje të re që do të jepet nga autoritetet.
Këshilli i Ministrave, përmes një projektvendimi të ri të paralajmëruar që në shtator 2025, ka propozuar rregulloren “Për miratimin e rregullores së shfrytëzimit të hapësirës publike”, e cila përbëhet nga 13 kapituj dhe synon të vendosë një kuadër të detajuar për administrimin e hapësirave publike në nivel kombëtar. Rregullorja përcakton strukturat përgjegjëse për zbatimin dhe monitorimin, si dhe rregullon përdorimin e hapësirave nga bizneset gastronomike, ekspozimin e mallrave, aktivitetet ambulante dhe tregjet.
Leja vlen vetëm pas mbjelljes së pemëve
Sipas rregullores, për rastet kur parashikohet vendosja e karrigeve në trotuar, subjekti është i detyruar të mbjellë një pemë për çdo karrige të vendosur. Leja do të konsiderohet e vlefshme vetëm pasi të dokumentohet zyrtarisht mbjellja e pemëve dhe përmbushja e të gjitha detyrimeve tatimore dhe financiare. Në të njëjtën kohë, ndalohet vendosja e strukturave erëpritëse, vazove apo tapeteve mbi hapësira të gjelbra, ndërsa zgarat me qymyr apo elektrike nuk lejohen në trotuar pa aspirator.
Rregulla të reja për lejet dhe përdorimin
Aplikimet për lejet e shfrytëzimit të trotuareve do të kryhen pranë pushtetit vendor përmes platformës e-Albania. Afati i lejes do të jetë 2 vjet, ndërsa për lejet provizore gjatë festave do të jetë deri në 30 ditë. Rregullorja trajton gjithashtu përdorimin e hapësirave për kioska, struktura reklamuese si city light dhe tabela LED, organizimin e aktiviteteve kulturore, promovuese dhe politike, si dhe menaxhimin e hapësirave në plazhe dhe gjatë punimeve ndërtimore.
Gjoba të larta për shkeljet
Për bizneset që nuk respektojnë kushtet e përcaktuara në leje, parashikohen masa ndëshkuese. Fillimisht jepet një paralajmërim me afat 2 deri në 5 ditë për korrigjimin e shkeljeve. Në rast se nuk merren masa, subjektet gjobiten jo më pak se 35.000 lekë për metër katror, në varësi të sipërfaqes së shfrytëzuar.
Prej muajsh, në të gjithë vendin vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike. Kryeministri Edi Rama kishte paralajmëruar që në shtator 2025 vendosjen e rregullave të reja, duke theksuar se për çdo karrige të vendosur në hapësira publike do të kërkohet mbjellja e një peme.